Arrestohen dy të rinj në Tiranë, dyshohet se vidhnin biçikleta dhe i shisnin ato
Dy të rinj kanë përfunduar në prangat e policisë së Shqipërisë, pasi dyshohet se vidhnin biçikleta në zona të ndryshme të Tiranës dhe më pas i shisnin ato. Policia e Shqipërisë ka bërë të ditur se gjatë kontrollit tek njëri prej tyre, janë gjetur lëndë narkotike, shkruan Abcnews.al.
“Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 4, operacioni policor i koduar “Dynamic”. Arrestohen 2 shtetas që vidhnin biçikleta, në zona të ndryshme të Tiranës. Sekuestrohen 2 biçikleta të dyshuara të vjedhura dhe sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis”.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive në fushën e vjedhjes së pronës, bazuar në inteligjencën informative për dy shtetas që vidhnin biçikleta në zona të ndryshme të Tiranës, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Dynamic”. Gjatë këtij operacioni u arrestuan shtetasit 34 vjeç, dhe 36 vjeç, të dy banues në Tiranë”.
“Këta 2 shtetas dyshohet se kanë vjedhur biçikleta në zona të ndryshme të Tiranës dhe më pas i kanë shitur. Gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit shërbimet e Policisë gjetën sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me 2 biçikleta të dyshuara të vjedhura”, thuhet në njoftimin e policisë.