Arrestohen hajnat që vodhën 5 mijë euro në një barnatore të Prizrenit
Njësiti policor i hetimeve rajonale në Prizren ka arritur të identifikojë dhe arrestojë tre të dyshuarit në lidhje me grabitjen e 5 mijë eurove në një barnatore në këtë komunë.
“Njësiti i hetimeve rajonale në Prizren ka arritur të identifikojë dhe zbulojë kryerësit e veprave penale të grabitjes. Rasti ka ndodhur në këtë muaj në një barnatore në qytetin e Prizrenit ku persona të maskuar dhe nën kërcënimin e armës kishin arritur të grabisin një sasi të parave në vlerë rreth 5000 euro. Hetuesit e rajonit të Prizrenit kanë siguruar prova dhe dëshmi në lidhje më këtë ngjarje, ku fillimisht e kanë gjetur kasafortën e cila ishte e vjedhur dhe pas identifikimit të personave të dyshuar të njëjtit i ka ballafaquar me provat ku edhe e kanë pranuar se e kanë kryer veprën penale të grabitjes”, ka njoftuar policia.
Sipas këtij njoftimi, me urdhër të prokurorit të shtetit janë ndaluar personat e dyshuar si plaçkitës me inicialet: B.G, L.B dhe E.K.
Me aktvendim të prokurorit të shtetit të dyshuarit janë ndaluar në mbajtje në afat prej 48 orë.