Arrestohen katër persona të dyshuar për bixhoz të paligjshëm në Gjakovë
Policia e Kosovës ka bërë me dije se ka arrestuar në Gjakovë katër persona të dyshuar për veprën penale organizmin i skemave piramidale dhe bixhoz të paligjshëm.
“Janë arrestuar katër të dyshuar meshkuj k/shqiptarë të cilët nga njësiti policor janë hasur duke luajtur lojëra fati në një lokal pa emër, pronari i të cilit lokal nuk kishte qenë aty dhe nuk është identifikuar. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore ku kanë konfiskuar tre monitor, një server të kamerave, një ‘dreambox’, një roter dhe 170 euro para të gatshme që kishin qenë në aparate të lojërave”, ka njoftuar policia.
Sipas këtij njoftimi, përveç njësive policore në atë lokacion kanë dalë edhe zyrtarët e Doganës së Kosovës të cilët e kanë bërë konfiskimin e tre aparateve të lojërave të fatit si dhe inspektorët komunalë, të cilët e kanë mbyllë lokalin.
Të dyshuarit pas intervistimit me urdhër të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt gjyqësore.