Arrestohen katër persona të dyshuar për ‘fajde’ dhe ‘organizim të skemave piramidale ose bixhozit të paligjshëm’
Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda, në vazhdën e luftimit të dukurisë së fajdesë, pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore, sot ka realizuar operacion policor, me ç’rast ka zbatuar urdhërkontroll në tri lokacione në Prishtinë ndaj katër personave të dyshuar për veprat penale ‘fajde’ nga neni 331 i KPRK-së dhe ‘organizimi i skemave piramidale ose bixhozit të paligjshëm’ nga neni 294 i KPRK-së.
Të dyshuarit në këtë rast, përmes formave të ndryshme të kanosjes, në vazhdimësi kanë detyruar viktimën që të veprojë kundër pasurisë së tij, duke përfituar kështu në formë të kundërligjshme shuma të ndryshme të parave si interes nga fajdeja, e po ashtu të dyshuarit kanë ushtruar edhe veprimtarinë e bixhozit të kundërligjshëm.
Gjatë zbatimit të urdhërkontrollit janë sekuestruar dëshmi të ndryshme si: shuma të konsiderueshme të parave kesh, 5 automjete, telefona celularë, pajisje të ndryshme elektronike.
Katër personave të dyshuar A. A., S. A., E. G. dhe A. G., pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, iu caktohet masa e ndalimit për 48 orë.
Në vijim gjeni videolinkun lidhur me operacionin policor të realizuar sot nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore: