Arrestohen katër të dyshuar për publikimin e pagave në Shqipëri
Eni Qirjako dhe Andi Agaraj, specialistë të IT-së në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Klodian Sota, përmbarues privat, dhe Endri Ikonomi, drejtor i kompanisë “Credit 2 All”, janë emrat e personave të arrestuar, të dyshuar se kanë publikuar pagat dhe të dhënat e ndjeshme personale të afro 630 mijë qytetarëve në Shqipëri.
Policia në Shqipëri ka ekzekutuar urdhrin e Prokurorisë së Tiranës duke arrestuar katër persona për skandalin e rrjedhjes në publik të pagave dhe të dhënave të ndjeshme personale të afro 630 mijë qytetarëve shqiptarë, në dhjetor të vitit që sapo lamë pas.
Eni Qirjako dhe Andi Agaraj, specialistë të IT-së në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Klodian Sota, përmbarues privat, i punësuar si menaxher pranë kompanisë private “SMART Collection”, dhe Endri Ikonomi, drejtor i kompanisë “Credit 2 All”, kompani që ofron ndërtimin e produkteve elektronike për institucionet financiare kredidhënëse, janë emrat e personave të arrestuar. Arrestimi i tyre u bë i ditur nga drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj, dhe drejtuesit e Policisë së shtetit, gjatë një konference për media të premten.
Prokuroria e Tiranës ka zbardhur mekanizmin përmes së cilit nga serveri i tatimeve u nxorën të dhënat e pagave të mbi 630 mijë qytetarëve, ashtu si dhe 4 persona të dyshuar si përgjegjës për shpërndarjen e tyre. Imeraj tha se databazat e pagave janë bërë objekt shitje-blerje nga persona që punojnë në sektorin privat, por ajo shtoi se po vijojnë hetimet për të zbuluar qëllimin e përdorimit të tyre.
“Kemi arritur të konkludojmë në një dyshim të arsyeshëm e si rezultat të hetimit paraprak kemi identifikuar 4 autorë”, tha Imeraj. “Punonjësi i IT në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, e cila është e punësuar tek AKSHI, duke pasur aksesin në të dhënat personale në pagat e disa muajve, ka hyrë duke marrë këto të dhëna dhe këto të dhëna i ka shpërndarë te kolegu i saj Andi Agaraj, i cili ka shfrytëzuar këto të dhëna dhe ua ka shitur subjekteve private. Pra nuk kemi të bëjmë me ndërhyrje në rrjetin kompjuterik, por punonjës të caktuar kanë shpërdoruar detyrën me veprimet e tyre dhe të dhënat e siguruara i kanë shitur në subjekte private”, tha kryeprokurorja Imeraj.
Ajo zbuloi se dy personat e tjerë të arrestuar punojnë në fushën e përmbarimit, duke shtuar se “këto të dhëna i kanë përdorur për qëllimet e tyre të punës, apo dhe për qëllime të tjera”.
“Prokuroria po heton, jo vetëm mekanizmin e ngjarjes, evidentimin e autorëve që kanë pasur akses dhe këto të dhënë i kanë shitur te persona të tjerë, por edhe për qëllimin e përdorimit të këtyre të dhënave”, ka thënë ajo. Gjithashtu Imeraj bëri të ditur se vijojnë hetimet në Drejtorinë e Transportit, pasi një tjetër skandal shoqëroi nxjerrjen e të dhënave për pagat, me rrjedhjen e të dhënave personale të targave të automjeteve.
Një nga të arrestuarit e Policisë për skandalin e publikimit të pagave, pikërisht Endri Ikonomi, rezulton të ketë punuar deri së fundmi për kompaninë e një miliarderi rus në Shqipëri, e quajtur Credit 2 All (Digital Finance International SHPK), që sipas të dhënave të QKB, është e specializuar në konsulencë financiare dhe në produktet elektronike në këtë fushë.
Biznesmeni 57-vjeçar rus, Oleg Viktorovich Boyko, raportohet të ketë një pasuri prej 1.3 miliardë dollarë, sipas revistës “Forbes”, dhe përshkruhet në faqen e tij të internetit si një nga 100 biznesmenët më të pasur rus, investitor ndërkombëtar prej 30 vjetësh në industrinë bankare dhe shërbimet digjitale financiare dhe drejtues i Finstar Financial Group. Megjithatë një raport inteligjence i Senatit të SHBA-së e citon oligarkun rus, Oleg Boyko, si person “me lidhje shqetësuese me Qeverinë ruse, inteligjencën dhe shërbimet e sigurisë së Rusisë dhe me lidhje me krimin e organizuar”.
“Shtypi moldav ka raportuar se Boyko ishte i përfshirë në një operacion të mbështetur nga Kremlini për influencimin e jashtëm të zgjedhjeve atje”, shkruhet në raportin e SHBA-së, ku disa paragrafë janë të censuruar.
Një investigim i platformës së gazetarëve rumunë anti-korrupsion “Black Sea” e citon Oleg Boykon si investitorin e Fashion TV që së bashku me një partner në Letoni e kanë përdorur Maltën si parajsë fiskale për të operuar në Evropë dhe SHBA, ndërsa kanë fituar shuma marramendëse për kredi emergjente te më të varfrit e Evropës pa paguar taksa.
Nga të dhënat e QKB (Qendra Kombëtare e Biznesit), shtetasi rus Oleg Viktorovich Boyko ka blerë 100% të aksioneve të kompanisë më 8 maj 2018 nga pronari i mëparshëm: Piressa Holding Limited, një kompani që operonte në parajsën fiskale Qipro, një ditë pasi administrator i saj emërohet, tashmë i arrestuari i policisë, Endri Ikonomi, i cili ka punuar deri më 17 shtator 2021.
Vlado Cvetkosvki rezulton administrator i kompanisë nga tetori 2021. Oleg Viktorovich Boyko e përshkruan misionin e Finstar si pararojë në “përdorimin e teknologjisë së thellë dhe shkencës së të dhënave për të siguruar gjithëpërfshirje financiare globale”.
Në fund të vitit të kaluar, një databazë me të dhënat personale dhe sensitive të 637,183 qytetarëve u shpërnda në seri përmes aplikacionit “Whatsapp”, duke shënuar rrjedhjen më të madhe të të dhënave zyrtare në Shqipëri. Databaza përmban numrat personalë, emrat, subjektet punëdhënëse, si dhe pagën mujore të të gjithë personave të regjistruar si të punësuar në sektorin publik dhe atë privat në Shqipëri. Zbulimi i këtyre të dhënave personale dhe pagave të qindra mijëra shqiptarëve tronditi këtë vend në muajin dhjetor dhe ngriti shqetësime për cenimin më të rëndë të privatësisë në këtë shkallë në Shqipëri.