Arrestohen katër zyrtarë doganorë dhe katër kontrabandistë në pikën doganore në Vërmicë
Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me hetuesit e Doganës, pas një hetimi disa mujor duke përdorur teknikat speciale të hetimit dhe vëzhgimit, ka arritur që me datë 27.05.2019 t’i arrestojë katër zyrtarë doganorë të Pikës Doganore në Vërmicë – Prizren dhe katër qytetarë, dy prej tyre shtetas të Republikës së Shqipërisë.
“Zyrtarët doganorë me inicialet H.D., B.M., D.H., dhe A.Z., dyshohen se të njëjtit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’ nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së. Ndërsa, katër të dyshuarit tjerë, dy prej tyre shtetas të Republikës së Shqipërisë, me inicialet M.A., V.S., V.S. dhe L.Rr., dyshohen se të njëjtit në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale ‘Kontrabandimi i mallrave’ nga neni 317 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, ‘Tregtia e ndaluar’ nga neni 305, paragrafi 2, lidhur me nenin 31 të KPRK-së dhe ‘Shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore’ nga neni 318 paragrafi 2, lidhur me nenin 31, të KPRK-së”, është thënë në komunikatën e Prokurorisë Themelore në Prizren.
Prokuroria Themelore në Prizren për tetë personat e lartcekur ka lëshuar aktvendim për ndalim dhe të dyshuarit do të mbahen 48 orë në ndalim deri në një vendim tjetër.
/Epoka e re/