Arrestohen pesë të dyshuar për posedim të paautorizuar të armëve
Policia e Kosovës, konkretisht njësiti policor në Pejë, ka bërë me dije se më 4 janar rreth orës 22:00 kishte pranuar një informatë se disa persona kishin postuar në rrjetet sociale foto me armë zjarri.
Pas identifikimit të personave, policia ka bërë me dije se janë arrestuar shtetasit me inicialet L.M. (1995), A.I.(1998) F.I.(1975), ndërsa hetuesit e stacionit policor Pejë, në koordinim të plotë me Prokurorin e shtetit, kanë kryer kontroll-bastisje në shtëpinë e të dyshuarit XH.I. (1971).
“Gjatë bastisjes të ky i dyshuar, janë gjetur dhe konfiskuar një armë automatike ‘AK47’ dhe një karikator të së njëjtës armë, një shufër metalike, një boks hekuri, tridhjetepesë copë fishek të kalibrit 7.62 mm. Të dyshuarit L.M., A.I. dhe F.I. pas intervistimit me urdhër të prokurorit të shtetit lirohen në procedurë të rregullt, ndërsa ndaj të dyshuarit Xh. I. është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh. Po ashtu në rastin e dytë më datë 5 janar 2020 rreth orës 19:00 në Llabjan të Pejës njësiti i hetimeve të stacionit policor ka intervistuar te dyshuarin K.H. (1997), në lidhje me veprën ‘mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’. Pas intervistimit me urdhër të prokurorit dhe me pëlqimin e pronarit kanë kryer bastisje në shtëpinë e tij. Gjatë bastisjes janë gjetur dhe janë konfiskuar një armë automatike ‘AK47’, kalibri 7.62X39 mm, një karikator, 12 copë fishek kalibri 7.62X39 mm, një pistoletë kalibri 9X19, një karikator, 12 copë fishek kalibri 9X19. I dyshuari me vendim të prokurorit, lirohet në procedurë të rregullt”, ka njoftuar policia.