Arrestohen policët malazezë që dhunuan Petraq Milon
Mbrëmë, vetëm një ditë pas publikimit të videos së re ku shfaqet anëtari i kryesisë së Partisë së Lirisë, Petraq Milo, teksa dhunohet nga punonjësit doganorë të Muriqanit, dy policë malazezë kanë rënë në pranga.
Referuar medieve të shtetit fqinj, Prokuroria e Ulqinit ka lëshuar urdhër-arrest për dy efektivët, Nemanja Boljeviç dhe Dragan Shqekiç.
Këta të fundit dyshohet të jenë autorë të atij veprimi të paprecedentë ndaj ish-keshilltarit të presidentit, të ndodhur më 15 janar në pikën kufitare Sukobinë-Muriqan.
Në pamjet e bëra virale të dy punonjësit e policisë malazeze shfaqen teksa tentojnë ta nxjerrin me forcë nga makina Petraq Milon, madje e dhunojnë në sy të familjes së tij.
Ngjarja e regjistruar 1 muaj më parë nxiti shumë reagime nga zyrtarët e Malit të Zi dhe partitë paralamentare.
Mes tyre ishte dhe kryeministri në detyrë, Dritan Abazoviç, i cili, ndër të tjera, tha se për ngjarjen në fjalë janë marrë masa menjëherë pasi efektivët e policisë kanë kryer veprime përtej kompentencave të tyre.