Arrestohen tre sulmuesit e gazetarit Valon Syla
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë me dije se pas një pune intenzive të Policisë së Kosovës, tashmë janë arrestuar tre sulmuesit e gazetarit Valon Syla.
“Përgëzoj Policinë e Kosovës për përkushtimin dhe profesionalizmin që garanton siguri për të gjithë si dhe sundim të rendit dhe ligjit”, ka shkruar Sveçla në “Facebook”.
Valon Syla mbrëmjen e 11 prillit ka marrë trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës pas lëndimeve në kokë që pësoi. Ai thuhet se u sulmua nga tre persona. Sulmi raportohet se ka ndodhur pasi Syla ka dalë nga studio televizive dhe dyshohet se është përcjellë nga të dyshuarit deri në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë.
Më heret, Prokuroria Themelore në Prishtinë tha se ka nisur “hetimet intensive” për të sqaruar dhe identifikuar të dyshuarit që sulmuan gazetarin Valon Syla të hënën mbrëma.