Arrestohet 21-vjeçari në Morinë, Policia e Shqipërisë tregon arsyen
Policia e Shqipërisë njofton për arrestimin e 21-vjeçarit B. Th., me banim në Prishtinë, pasi ka tentuar t’i korruptojë punonjësit e policisë me qëllim të kalimit të kufirit me një motomjet të dyshuar të trafikuar.
Siç njofton policia, shërbimet e Policisë, në vijim të kontrollit, i kanë kërkuar 21-vjeçarit që t’i paraqesë dokumentet përkatëse të motomjetit. Ky shtetas, për ta shmangur verifikimin e dokumenteve, ka tentuar t’i korruptojë punonjësit e policisë, duke ua dorëzuar një dokument mjeti, së bashku me një kartëmonedhë me prerje 50 euro.
“Nga verifikimi rezultoi se ky shtetas kishte dorëzuar një dokument që i përkiste një motomjeti tjetër, të ndryshëm nga motomjeti që ai drejtonte.
Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve në DVP Kukës arrestuan në flagrancë shtetasin B. Th., 21 vjeç, banues në Prizren, Kosovë, për veprat penale ‘Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike’ dhe ‘Trafikimi i mjeteve motorike’.
Motomjeti u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftim.