
Arrestohet 43-vjeçari në Pogradec, ishte i kërkuar ndërkombëtarisht për trafikim droge
Policia në Pogradec ka arrestuar një 43-vjeçar, i dyshuar për trafikim droge.
I dyshuari, sipas policisë ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Njoftimi i Policisë së Shtetit:
Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Operacionalja 27”.
Lokalizohet, kapet dhe arrestohet provizorisht, me qëllim ekstradimi drejt Italisë, një 43-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Si rezultat i shkëmbimit të informacioneve dhe i koordinimit të punës me homologët italianë, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale (Fast Albania), në kuadër të operacionit “Operacionalja 27”, lokalizuan në Pogradec dhe arrestuan provizorisht shtetasin e shpallur në kërkim ndërkombëtar, E.L., 43 vjeç, banues në Durrës.
Gjykata e Romës/Itali, në vitin 2016, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale “Organizatë kriminale” dhe “Trafikimi i narkotikëve”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.
Interpol Tirana po bashkëpunon me Interpol Romën për të finalizuar procedurën e ekstradimit të këtij shtetasi në Itali.