Arrestohet aktivisti Adem Magjuani, PSD-ja kërkon lirimin e menjëhershëm të tij
Partia Socialdemokrate (PSD) ka njoftuar se aktivisti i kësaj partie, Adem Magjuani është arrestuar/ndaluar nga policia pasi i ishte përgjigjur ftesës për intervistim pas protestës kundër shtrenjtimit të rrymës.
Me këtë rast, PSD-ja ka kërkuar që Magjuani të lirohet menjëherë, duke theksuar se partisë në pushtet i ka penguar pjesëmarrja masive në protestën e së shtunës.
“Në orën 9:00, aktivisti Adem Megjuani i është përgjigjur thirrjes së policisë për intervistim lidhur me incidentin që ndodhi në protestën kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike. Të njëjtit prokurori i rastit i ka shqiptuar masën e ndalimit prej 48 orëve. Kjo masë nuk i përmbush asnjërën prej kushteve të parapara me Kodin e Procedurës Penale për shqiptimin e saj. Mënyra se si ka vepruar prokurori i rastit përbën abuzim të pushtetit të tij e shkelje të të drejtave të aktvistit tonë. Joproporcionaliteti i veprimeve të prokurorisë është proporcional vetëm me nevojën e pushtetit për të disiplinuar veprimet opozitare të PSD-së. Partisë-shtet i ka penguar pjesëmarrja masive e njerëzve në protestë. Menjëherë nisën me gjueti shtrigash. Sot kanë vazhduar me arrestime. Propaganda policore që kishte për qëllim ta kriminalizoj një protestë paqësore, po përkthehet me përndjekje. Të lirohet menjëherë aktivisti Adem Megjuani!”, është thënë në reagimin e PSD-së.