Arrestohet aktivisti i Vetëvendosjes, Ardian Huli
Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se gjatë kthimit nga Shqipëria është arrestuar nga Policia e Kosovës, aktivisti i kësaj lëvizje, Ardian Huli.
“Ardian Huli, sikur shumë aktivistë të Lëvizjes po përndjeken dhe po arrestohen vazhdimisht. Ndërrimet e qeverive janë bërë sikur maska që e mbulojnë fytyrën e vërtetë e cila ka për qëllim vazhdimin e dhunës ndaj veprimeve tona politike. Arrestimi është bërë për aksione të mëhershme politike të cilat janë dëshmuar edhe nga Gjykata Kushtetuese si të dëmshme”, ka njoftuar Lëvizja Vetëvendosje.
Kjo lëvizje i ka bërë thirrje Qeverisë që ta ndalë luftimin e opozitës.
“Projektet që cenojnë sovranitetin dhe demokracinë e vendit tonë ne nuk do t’i lejojmë të jetësohen, andaj kërkojmë lirimin e menjëhershëm të aktivistit Huli dhe e ftojmë Qeverinë e Kosovës që t’i ndalë njëherë e mirë këto veprime jodemokratike dhe luftimin e opozitës”, ka njoftuar Vetëvendosje e cila drejtohet nga Albin Kurti.
/Epoka e re/