Arrestohet hajni që vodhi 200 mijë euro në Teqenë e Madhe në Gjakovë
Dy javë më parë është raportuar në polici një vjedhje në shtëpinë e Shehut të Teqesë së Madhe në Gjakovë. Madje në raport thuhej se vlera e vjedhjes kapte shifrën prej 200 mijë eurosh, e ndërsa mbrëmë në orët e vona është arrestuar nga Policia e Gjakovës shtetasin e Kosovës me disa precedentë penale, Xhavit Thaçin.
Kështu thuhet në njoftimin e Policisë Rajonale të Gjakovës.
Njoftimi i plotë i policisë:
Arrestohet një i dyshuar për përfshirje në rastin vjedhje e rëndë me datën 22.05.2023
Me datën 22.05.2023 ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se persona të pa njohur kishin depërtuar brenda në shtëpinë e tij dhe kanë vjedhur në dy kasaforta para të gatshme në vlerë të konsiderueshme, disa çelësa personal, dhe disa stoli të arit.
Sektori Rajonal i Hetimeve në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë pas një hetimi të gjerë dhe intensiv, ku janë shikuar qindra orë video incizime (nga lokacione të ndryshme) dhe janë analizuar shumë prova është arritur të identifikohet dhe arrestohet i dyshuari:
Xh. TH., i lindur në vitin 1975, shtetas i Republikës së Kosovës
mbi dyshimin e arsyeshëm se i njëjti me datën 22.05.2023 kishte kryer veprën penale vjedhje e rëndë. Me vendim të gjykatës është kryer kontroll në objektet e banimit të të dyshuarit me çrast janë gjetur dhe sekuestruar: një pistoletë me një karikator, gjashtë copë fishekë, disa stoli ari, rrobe, telefona dhe disa gjëra tjera të cilat dyshohet se janë përdorur me rastin e kryerjes së vjedhjes.
Të gjitha veprimet hetimore të ndërmarra janë kryer në koordinim me prokurorin e shtetit me vendimin e të cilit i dyshuari është ndalur në mbajtje. Ndaj tij është iniciuar rast penal për hetim “Vjedhje e rëndë” dhe “Mbajtje në pronësi dhe kontroll të paautorizuar të armëve”’.