Arrestohet i dyshuari për vrasjen e 11-vjeçarit në Fushë Kosovë
Policia e Kosovës pas ndërmarrjes së veprimeve të vazhdueshme hetimore dhe operacionale lidhur me rastin e raportuar para pak ditësh për vrasjen e një fëmije 11-vjeçar, ka arrestuar një person të dyshuar.
“Policia e Kosovës pas ndërmarrjes së veprimeve të vazhdueshme hetimore dhe operacionale lidhur me rastin e raportuar me datën 11.07.2019, e cilësuar në fillim si ‘vdekje e dyshimtë’ me datën 16.07.2019 rreth orës 19:55 nga njësitë policore të Stacionit Policor të Fushë Kosovës është arrestuar personi i dyshuar me inicialet: S. O. mashkull/ashkali/kosovar lindur me 1999″, është bërë me dije në njoftimin e policisë.
Rasti i raportuar me datën 11.07.2019 fillimisht është cilësuar si “vdekje e dyshimtë” ndërsa pas veprimeve hetimore dhe operacionale dhe me urdhër të prokurorit të shtetit ky rast është rikualifikuar si vepër penale “vrasje e rëndë”.
“Personi i arrestuar, i dyshuar për veprën penale “vrasje të rëndë”, me urdhër të prokurorit kompetent është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe pas intervistimit është dërguar në mbajtje për procedura të mëtejme ligjore”, është thënë në njoftimin e policisë.