Arrestohet i dyshuari për vrasjen e vëllait në Bërnjak të Rahovecit
Është arrestuar i dyshuari me inicialet G.K. nga fshati Bërnjak i Komunës së Rahovecit, i cili sipas hetimeve të para dyshohet për veprën penale “Vrasja e Rëndë” të vëllait të tij, personit me inicialet B.K., i cili pasi që kishte ardhur nga Zvicra në Kosovë, ku fillimisht ishte paraqitur i zhdukur nga familjarët e tij që nga data 14 shkurt e këtij viti.
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar se pas veprimeve hetimore nga ana e prokurorisë dhe policisë, dyshohet se personi G.K. e ka vrarë dhe më pastaj e ka djegur trupin e të ndjerit B.K. ku në vendin e ngjarjes janë evidentuar disa kocka njeriu.
“Po ashtu, pas një pune operative është gjetur edhe arma me të cilën dyshohet të jetë kryer vepra penale, si dhe një gëzhoje e cila pas ekzaminimit të forenzikës është vërtetuar së është shkrepur nga arma e të dyshuarit”.
“Gjatë intervistimit në polici, ku prezent ka qenë edhe prokurori i rastit, i dyshuari G.K. e ka pranuar veprën për të cilën dyshohet, duke përshkruar në hollësi mënyrën se si ka vepruar në ditën kritike”, ka njoftuar Prokuroria Themelore në Gjakovë.
Me urdhër të prokurorit të rastit, i dyshuari është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, me dyshimin e veprave penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe ndaj tij, brenda afatit ligjor do të kërkohet masa e paraburgimit nga gjykata kompetente në Gjakovë.