Arrestohet i kërkuari për krime lufte nga Kroacia
Policia federale në Gjermani ka bërë me dije se ka arrestuar një 55-vjeçar nga ish-Jugosllavia, i cili ishte dënuar para 23 vjetëve në Kroaci për krime kundër njerëzimit dhe nuk e kishte vuajtur asnjëherë dënimin.
I arrestuari, tani qytetar amerikan, ishte dënuar në vitin 1997 me dënim prej 10 vjetëve burgim për vrasjen e një personi civil në vitin 1993 gjatë luftës në Kroaci.
Policia gjermane tha se vrasja kishte ndodhur gjatë kohës sa ai ishte pjesë e ushtrisë së Krajinës-territor kroat, në vitet 1990.
Që nga ajo kohë, personi i arrestuar emrin e të cilit policia gjermane nuk e bëri publik për shkaqe privatësie, kishte arritur t’i ikte drejtësisë. Ai është arrestuar në aeroportin e Frankfurtit të hënën derisa ishte duke udhëtuar nga Çikagoja për në Beograd.
Aktualisht ai po mbahet nga autoritetet gjermane deri në ekstradimin e tij në Kroaci. /Rel