Arrestohet ish-zëvendësministri i Shëndetësisë në Shqipëri
Me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit (SPAK), në Shqipëri është arrestuar ish-zëvendësministri i Shëndetësisë, Klodjan Rrjepaj.
Ai është vënë në pranga në kuadër të hetimit për koncesionin e sterilizimit të pajisjeve mjekësore. Gjithashtu, është arrestuar edhe Ilir Rrapaj, biznesmeni që fitoi këtë koncesion.
Për të njëjtën çështje penale, është caktuar masat e sigurisë “detyrim për paraqitje” për Arben Gjatën, aktualisht shef i Repartit të Kirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe rektor i Universitetit të Mjekësisë. Mësohet se masat e kërkuara nga SPAK-u janë për akuzat e “shpërdorimit të detyrës” dhe “falsifikimit të dokumenteve”, ndërsa ende nuk ka njoftim zyrtar për mediat.
Për këtë çështje të enjten është marrë në pyetje ish-ministri i Financave, Shkëlqim Cani. Mësohet se ai është thirrur për të dhënë shpjegime në lidhje me një shkresë të firmosur nga Ministria e Financave në 2015, që ka lidhje me këtë tender. Ministria e Shëndetësisë lidhi në fund të vitit 2015 një kontratë koncesionare me kompaninë “Sani Service” për 100 milionë dollarë “për shërbime të integruara për ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikale, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale”.
Kontrata koncensionare u lidh për një periudhë 10-vjeçare.
Koncesioni i sterilizimit të pajisjeve mjekësore është kallëzuar në SPAK nga shoqëria civile, konkretisht nga Nisma “Thurje”, katër vjet më parë.
Në kallëzimin e përfaqësuesve të nismës “Thurje” theksohej se zyrtarët publikë, të përfshirë në dhënien e tenderit, “mund të kenë kryer veprat penale: shpërdorim detyre, shkelje e barazisë së pjesëmarrjes në tendera dhe/ose korrupsionin pasiv, duke përdorur pushtetin publik për përfitime private”.
Ky ka qenë kallëzimi i parë që është depozituar në SPAK, pas ngritjes së këtij institucioni të drejtësisë në nëntor 2019.
Për këtë çështje është pyetur edhe Ilir Beqja, i cili në kohën që u firmos kontrata ka qenë ministër i Shëndetësisë.
Sipas kontratës me Ministrinë e Shëndetësisë, për 10 vjet qeveria shqiptare do t’i paguajë koncesionarit 100 milionë euro. Por, tejkalimi i kostove dhe shkeljet janë konstatuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit që në vitet e para të zbatimit.
Në vitin 2018, Ministria e Shëndetësisë urdhëroi spitalet t’i reduktojnë operacionet.
Ministrja e Shëndetësisë nuk e ka mohuar, por ka folur për racionalizim të ndërhyrjeve. “Nuk ka asnjë urdhër, ka vetëm racionalizim, optimizim, siguri për qytetarët”, kishte deklaruar në atë kohë ministrja Ogerta Manastirliu.
Përveç koncensionit të sterilizimit, në SPAK janë dorëzuar kallëzime edhe për dy koncesione të tjera në shëndetësi, konkretisht “kontrolli shëndetësor falas” (check Up) si dhe “hemodializa”.