Arrestohet kadeti i Policisë së Kosovës, kjo është arsyeja
Një e mitur po dyshohet se është dhunuar nga një kadet i Policisë së Kosovës në Lipjan. Viktima ishte deklaruar e zhdukur nga babai i saj me datë 30 qershor të këtij viti.
Për rastin janë deklaruar nga Inspektorati i Policisë së Kosovës. Zëdhënësi i këtij institucioni, Arbër Beka konfirmoi për Insajderi se kadeti policor tashmë është arrestuar dhe që prokurori i ka caktuar masën fillestare, prej 48 orëve. Kadeti është duke hetuar nën dyshimin e veprës penale “dhunim”.
“Hetuesit e IPK-së janë njoftuar nga Policia lidhur me këtë rast. Me të pranuar njoftimin kanë shkuar në Stacionin Policor Lipjan DRP-Prishtinë, dhe kanë ndërmarrë veprimet fillestare hetimore për të cilat është njoftuar Prokurori i Shtetit (prokurori kujdestar). Pas prezantimit të të gjeturave të hetimit deri në atë fazë të hetimit, hetuesit e IPK-së kanë arrestuar të dyshuarin (kadetin policor), për të cilin Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim për caktimin e masës së ndalimit për 48 orë me dyshimin e kryerjes se veprës penale “Dhunimi” nga neni 277 të KPRK-së”.
Si pjesë e procedurës është njoftuar AKSP dhe PK, bëri me dije Beka.
E mitura ishte deklaruar e zhdukur nga babai i saj me datë 30.06.2024.
“Një mashkull kosovar ka raportuar se vajza e tij e mitur është larguar nga shtëpia dhe nuk kanë njohuri për vendndodhjen e saj. Rasti vazhdon të hetohet”, thuhet në raportin e Policisë.