Arrestohet kryeredaktori i gazetës së pavarur ruse për ‘përbuzjen’ e ushtrisë
Sergei Sokolov, kryeredaktori i gazetës së njohur dhe të pavarur ruse, “Novaya Gazeta”, u arrestua të enjten në Moskë, pas akuzave se gjoja i ka “përbuzur” forcat e armatosura ruse, njoftoi gazeta.
Zyrtarët e Qendrës së Rusisë për Luftimin e Ekstremizmit ia vunë prangat Sokolovit, tha “Novaya Gazeta”.
Sipas gazetës, akuzat – të cilat janë “administrative” dhe janë të ndëshkueshme zakonisht me gjobë apo me dënim të shkurtër me burg – kanë të bëjnë me një shkrim në gazetën e shtypur.
Nuk dihet se kur do të mbahet seanca dëgjimore kundër Sokolovit.
Vëzhguesi i mediave, Reporterët pa Kufij, shkroi në rrjetin social “X” se proteston kundër arrestimit të tij, “i cili është dëshmi shtesë e dhunës së censurës në Rusi”.
Sokolov u bë udhëheqës i lajmeve në “Novaya Gazeta” në shtator 2023, pasi kryeredaktori i deriatëhershëm, laureati i Çmimit Nobel për Paqe, Dmitry Muratov, u shpall “agjent i huaj” nga autoritetet ruse.
Në shtator 2022, një gjykatë në Moskë ia hoqi licencën “Novaya Gazetës”, e cila ka qenë kritike ndaj Kremlinit për shumë vite.
Disa ditë pasi presidenti Vladimir Putin i dërgoi trupat brenda Ukrainës para dy vjetëve, Parlamenti i kontrolluar nga Kremlini e miratoi një legjislacion i cili e bën të jashtëligjshëm përçmimin e ushtrisë ruse, apo përhapjen e “informatave të rreme” për veprimet e vendit në Ukrainë.
Dhjetëra media të pavarura në Rusi u ndaluan si pasojë, derisa media të tjera thanë se nuk do të raportonin në lidhje me luftën në Ukrainë.
“Novaya Gazeta” njoftoi në mars 2022 se do ta pezullonte punën gjatë luftës në Ukrainë. Por, stafi i “Novaya Gazetës”, që iku jashtë vendit, e nisi një projekt të ri, “Novaya Gazeta Europe”, e cila është kritike e zëshme e pushtimit të Ukrainës nga Rusia. /REL