Arrestohet kryetari i komunës së Kllokotit për cenim të votës së lirë
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se është arrestuar kryetari i Komunës së Kllokotit, Bozhidar Dejanoviq, i dyshuar për “Cenim i përcaktimit të lirë të votuesve”.
Në njoftim bëhet me dije se Dejanoviq është ndaluar për 48 orë dhe brenda afati ligjor do të paraqitet para gjyqtarit të procedurës paraprake.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, njofton opinionin publik se, sot, ka ekzekutuar urdhrin e gjyqtarit të procedurës paraprake, për kontrollimin e objekteve të Komunës së Kllokotit, në lidhje me një hetim që është duke zhvilluar ndaj kryetarit të Komunës, të pandehurit Bozhidar Dejanovic, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Cenim i përcaktimit të lirë të votuesve” e paraparë dhe sanksionuar me nenin 210 të Kodit Nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës (tutje “KPRK”). Mbi këtë bazë, me vendim të prokurorit të çështjes u vendos ndalimi dhe arrestimi i të pandehurit, Bozhidar Dejanoviq, për 48 orë, dhe brenda afati ligjor do të paraqitet para Gjyqtarit të procedurës Paraprake”, thuhet në njoftimin për media.