Arrestohet kundërshtari më i madh i Putinit
Lideri opozitar rus, Aleksei Navalny është arrestuar sot në Moskë.
Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësja e tij, Kira Yarmysh përmes një postimi në TWitter.
Ajo tha se Navalny është arrestuar pranë shtëpisë së tij dhe është dërguar në një stacion lokal të Policisë. Sipas Yarmysh, ende nuk është e qartë arsyeja e arrestimit të Navalnyt, raporton Evropa e Lire.
Navalny, 42-vjeç, ka qenë i dënuar disa herë nën akuzat që lidhen me organizimin e protestave anti-qeveritare. Ai është dënuar dy herë për krime financiare. Navalny thotë se akuzat ndaj tij janë të porositura nga Kremlini, pasi ai kundërshton politikat e presidentit rus, Vladimir Putin.
Ai ishte ndaluar që të marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale të 18 marsit, për shkak të dënimeve.
Më herët gjatë ditës, Navalny kishte njoftuar përmes rrjetit social Tëitter, se ai dhe ekipi i tij po planifikonin të njoftonin “disa lajme interesante” përmes kanalit të tyre në YouTube, duke i ftuar njerëzit që t’i ndiqnin.
Navalny po planifikon që të mbajë protesta në disa qytete ruse më 9 shtator, për të kundërshtuar planin e Qeverisë për të rritur moshën e pensionimit.