Arrestohet lideri politik i organizatës ‘Eta’
16 maj 2019
| 17:54
Lideri politik i grupit separatist bask “Eta” është arrestuar në Francë pas 17 vjetësh në arrati.
Operacioni i arrestimit të tij është realizuar përmes bashkëpunimit të organeve të sigurisë së Francës dhe Spanjës.
Josu Ternera, emri i vërtetë i të cilit është Antonio Urrutikoetxea, akuzohet për disa vrasje të kryera nga grupi separatist “Eta”.
Grupi separatist ka zhvilluar një fushatë të dhunshme për pavarësinë baske për më shumë se 40 vjet. Në vitin 2018 ky grup ka deklaruar se është shpërbërë.
Pjesëtarët e këtij grupi kanë vrarë më shumë se 800 persona gjatë fushatës së dhunshme para deklarimit të armëpushimit në vitin 2011.
“Eta” ishte e klasifikuar si organizatë terroriste nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.