Arrestohet Loredana e Mozzikut, akuzohet se mashtroi një çift me 700 mijë franga
Këngëtarja e njohur, Loredana Zefi është arrestuar nga policia zvicerane, raportojnë mediat në Zvicër.
Ajo dyshohet për mashtrim, derisa hetimet janë duke vazhduar.
Ajo dyshohet se ka mashtruar një çift në Valais me rreth 700 mijë franga, kurse policia e Luzernit ka hapur hetimet. Ajo u arrestua në shtëpinë e saj në Luzern.
Loredana dhe vëllai i saj dyshohet se kanë mashtruar një çift, që edhe më herët kishte bërë ankesë, megjithatë, nuk kishte pasur arrestime, për shkak se pagesat janë bërë vullnetarisht.
Petra (52) dhe Hans Z. (53) janë çifti që ka paraqitur ankesë ndaj këngëtares shqiptare dhe vëllait të saj. Ata thonë se janë futur në borxhe dhe kanë humbur pasurinë e tyre. “Unë jam mashtruar, shantazhuar dhe kërcënuar”, thotë Petra, përcjell tutje albinfo.ch.
Çifti ka humbur 900 mijë euro, derisa hetimet po vazhdojnë. Ndryshe, reperja Loredana është bashkëshortja e reperit nga Ferizaj, Mozzik.