Arrestohet mësuesi i cili dyshohet se keqpërdori seksualisht të miturën në Drenas
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka njoftuar se në vazhdën e hetimeve në lidhje me rastin e të miturës nga Drenasi dhe në konsultim me prokurorin kompetent, ka ndërmarrë veprime hetimore drejt ndriçimit të plotë të rastit.
Sipas IPK-së, në kuadër të këtyre veprimeve hetimore, të enjten është ftuar për intervistë edhe një i dyshuar tjetër për këtë rast ( me inicialet Sh. Xh, i cili nuk është zyrtar policor).
Pas intervistimit të këtij të dyshuari, me vendim të prokurorit i është caktuar masën e ndalimit për 48 orë.
Arrestimi i të njëjtit nga hetuesit e IPK-së është bërë me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “keqpërdorimi seksual duke keqpërdorur pozitën, autoritetin apo profesionin (e paraparë në nenin 239 të Kodit Penal).
Hetimet nga Inspektorati Policor lidhur me këtë rast do të vazhdojnë edhe lidhur me dyshimet për përfshirjen e të dyshuarve të tjerë në këtë rast.
Ndërsa, dje IPK-ja ka arrestuar një zyrtar policor, punonjës në stacionin policor në Drenas (me gradën e rreshterit).