Arrestohet në hyrje të Shqipërisë 58-vjeçari nga Ukraina, ishte i dënuar në Peru
Një 58-vjeçar ukrainas, është vënë në prangat e policisë kufitare në Morinë pasi ishte dënuar me 25 vjet burg nga autoritetet e Perusë për trafikim të armëve dhe për krime kundër shtetit.
Në bashkëpunim me shërbimet e drejtorisë shqiptare të Policisë në Kukës, dhe si rezultat i shkëmbimit të informacioneve nga shërbimet e Interpol Tiranës, është ndaluar dhe është vënë në pranga, me qëllim ekstradimin drejt Perusë, shtetasi i kërkuar ndërkombëtarisht Dmytro Chornyi, 58 vjeç, banues në Ukrainë.
Gjatë verifikimeve dhe intervistimit në vijë të dytë, në hyrje të Shqipërisë, ka rezultuar se 58-vjeçari, ishte i dënuar nga autoritetet gjyqësore të Perusë, me 25 vjet burgim, për veprat penale “Trafikimi i armëve” dhe “Krimet kundër shtetit dhe mbrojtjes kombëtare”, të parashikuara nga legjislacioni penal i Perusë.
Interpol Tirana sipas njoftimit të policisë, do të vazhdojë të bashkëpunojë me homologët në Peru, për ta ekstraduar shtetasin Dmytro Chornyi, drejt këtij shteti.