Arrestohet në Spanjë serbi për kontrabandë të 2.3 tonë kokaine, vrasje dhe rrëmbim
Pjesëtarët e policisë spanjolle arrestuan një grup të dyshuar për trafik kokaine në një anije që lundronte nga Amerika e Jugut, pasi njëri prej tyre, me kombësi serbe, qëlloi dhe vrau një nga anëtarët e ekuipazhit dhe mori peng personat e mbetur, njoftoi sot MPB e Spanjës.
Sipas njoftimit, një anëtar i ekuipazhit me origjinë serbe, për të marrë nën kontroll varkën, ka qëlluar njërin nga personat dhe më pas trupin e tij e ka hedhur në det, ndërsa tetë të tjerët i ka rrëmbyer.
“Në më pak se 12 orë, një ekip ndërhyrjeje mbërriti në pikën e Atlantikut ku ndodhej anija dhe pas disa orësh negociatash në det të hapur, arriti të arrestojë rrëmbyesin dhe tetë anëtarët e tjerë të ekuipazhit”, thuhet në njoftim.
Siç shtojnë ata, operacioni, i cili u zhvillua nëntorin e kaluar dhe mbeti një sekret i lartë, filloi kur agjentët po hetonin një organizatë kriminale që synonte të sillte 2.3 tonë kokainë në Spanjë nga Amerika e Jugut me kamion.
Hetuesit mësuan se droga do të transferohej në një anije më të vogël, në afërsi të ishujve Kanarie, ndaj u përgatit një pajisje e përbashkët me Shërbimin e Mbikëqyrjes Doganore për të ndaluar anëtarët e ekuipazhit dhe për të sekuestruar drogën. Anëtarët e këtij ekipi të përbashkët kanë mundur të identifikojnë anijen amë “Sea Paradise” e cila priste një anije tjetër për të transferuar drogën.
“Disa orë para nisjes së planifikuar, agjentët zbuluan se një nga anëtarët e ekuipazhit të rimorkiatorit, me origjinë serbe, kishte rrëmbyer pjesën tjetër të ekuipazhit. Për më tepër, për të marrë nën kontroll varkën, rrëmbyesi qëlloi njërin prej burrave dhe më pas e hodhi trupin e tij në det”, thuhet në deklaratë.