Arrestohet një bashkëpunëtor i Navalnyt

01 korrik 2021 | 12:29

Një bashkëpunëtor i politikanit opozitar rus, Aleksei Navalny, është ndaluar në aeroportin e Moskës.

Bëhet fjalë për Aleksei Yakovlev, ish-producent i kanalit “Navalny LIVE” në “YouTube”.

Avokati i tij, Sergei Telnov, ka thënë se klienti i tij është arrestuar në bordin e një aeroplani që është ulur në Moskë dhe është dërguar në Komitetin Hetimor për t’u marrë në pyetje si dëshmitar në një rast mashtrimi.

Në fund të dhjetorit, autoritetet ruse kanë thënë se kanë nisur një hetim të ri penal kundër Navalnyt nën dyshimet se ai dhe bashkëpunëtorët e tij kishin keqpërdorur rreth 4.8 milionë dollarë fonde të donatorëve dhe mbështetësve tjerë për Fondacionin Kundër Korrupsionit (FBK) të udhëhequr nga Navalny.

Një ditë para arrestimit të Yakovlev, Rusia e ka vendosur në listën ndërkombëtare të kërkimit drejtorin e FBK-së, Ivan Zhdanov, i cili aktualisht banon në Lituani.

Gjatë viteve të kaluara Fondacionin Kundër Korrupsionit ka bërë publike të dhëna për korrupsion ndaj zyrtarëve rusë. Publikimi i tyre është bërë përmes postimit të videove në kanalin në Youtube – Navalny Live.

Autoritetet kanë rritur presionin ndaj kësaj organizate para zgjedhjeve parlamentare që pritet të mbahen në shtator. Sondazhet e opinionit tregojnë se po zbehet mbështetja për partinë në pushtet, Rusia e Bashkuar.

Rrjeti politik i Navalnyt ka prezantuar një strategji “të votimit të mençur ” – një projekt i hartuar për të promovuar kandidatë që ka më shumë gjasa të mposhtin figurat e lidhura me Kremlinin.

Një gjykatë ruse më 9 qershor kishte miratuar një kërkesë nga prokurorët për të deklaruar FBK-në dhe organizata të tjera të lidhura me Navalnyn si “ekstremiste”.

Vendimi i Gjykatës së Qytetit të Moskës parandalon personat e lidhur me FBK-në dhe rrjetin e tij të zyrave rajonale në të gjithë Rusinë të garojnë ose zgjedhen për poste publike.

Navalny është në burg për shkelje të rregullave të një dënimi me kusht, për një rast përvetësimi, akuzë që e konsideron të motivuar politikisht.

Ai është ndaluar në Rusi, në muajin janar, pas kthimit nga Gjermania. Navalny është trajtuar në Berlin, pas helmimit me agjent nervor Noviçok.

Ai ka fajësuar presidentin rus, Vladimir Putin për dhënie të urdhrit për helmim, mirëpo Kremlini ka mohuar diçka të tillë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Emilio Flores Marquez, një ish-fermer i kallamit të sheqerit nga…