Arrestohet një biznesmen për rastin e vrasjes së gazetares malteze

20 nëntor 2019 | 13:29

Policia e Maltës arrestoi një nga biznesmenët më të njohur të vendit, në lidhje me një hetim mbi vrasjen e gazetares hulumtuese, Daphne Caruana Galizia, raporton Reuters duke cituar dy burime.

Biznesmeni, Yorgen Fenech, u arrestua pasi policia përgjoi jahtin e tij larg ishullit Mesdhe, thanë burime të njohura me këtë çështje.

Arrestimi i tij ndodhi një ditë pasi qeveria tha se do t’i ofronte falje një ndërmjetësi të dyshuar për vrasjen e vitit 2017 të Caruana Galizia, nëse ai siguron prova ligjore se kush qëndronte pas vrasjes.

Zyra e Kryeministrit tha se ky person “pas disa kohësh të marrjes në pyetje nga policia, tregoi gatishmëri, për të bashkëpunuar, por që, ai kërkoi që t’i sigurohej falja presidenciale së pari”, për të gjitha rastet në të cilat mund të ishte përfshirë, raporton “Euronews”.

Vendimi i qeverisë në lidhje me një falje presidenciale besohet të ishte diskutuar në një mbledhje të kabinetit të martën. Raportet thonë se disa ministra nuk kishin dëshirë të ofronin faljen.

Tre persona kanë qenë të arrestuar në lidhje me vrasjen.

Biznesmeni Fenech është drejtor dhe bashkëpronar i një grupi biznesi që fitoi një koncesion të madh energjie më 2013 nga shteti i Maltës, për të ndërtuar një termocentral të gazit në ishull.

Pak para agimit më 20 nëntor, jahti i tij luksoz Gio u largua nga porti i Portomasos, tetë kilometra në veri të kryeqytetit Valeta. Policia reagoi me shpejtësi dhe e detyroi të kthehej në port.

Në shkurt të vitit 2017, tetë muaj para se të vdiste nga një bombë e vendosur në makinë, Caruana Galizia shkroi në blogun e saj për një kompani misterioze në Dubai të quajtur “17 Black Limited”, për të cilën ajo pretendonte se ka lidhje me politikanë maltezë, por pa publikuar asnjë fakt për këtë.

 

Ajo nuk ishte në gjendje të zbulonte se kush ishte pronar i kompanisë. Por një hulumtim i “Reuters”-it më vonë e identifikoi biznesmenin Fenech si pronar.

Sipas një email-i të dhjetorit të vitit 2015, i zbuluar nga rregullatorët financiarë të Maltës, kompanitë sekrete të Panamasë në pronësi të Ministrit të atëhershëm të Energjisë Konrad Mizzi dhe Keith Schembri, shefi i stafit qeverisë, u ngritën për të marrë pagesa nga “17 Black” për shërbime të paspecifikuara.

Në email thuhet që kompanitë e Panamasë prisnin pagesa deri në 2 milionë dollarë brenda një viti nga kompania “17 Black”.

Email-i nuk bëri asnjë referencë për termocentralin e gazit dhe nuk ka asnjë provë që paratë ishin depozituar.

Schembri dhe Mizzi i thanë Reuters-it në tetor të vitit të kaluar se nuk kishin njohuri për ndonjë lidhje midis “17 Black” dhe biznesmenit Fenech, ose ndonjë plan për të marrë pagesa të lidhura me Fenech.

Biznesmeni Fenech mohoi se ka pasur ndonjë plan për të paguar ndonjë politikan ose ndonjë person apo entitet të lidhur me ta./REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, pas takimit me presidentin Ilir…