Arrestohet një i dyshuar për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve
Më 19 prill rreth orës 21:00, njësia nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Prishtinë gjatë një pune hetimore operative (dy javore) në terren, ka arritur të marrë informatën se një i dyshuar është duke u marrë me shitblerje të substancave narkotike në qytetin e Prishtinës.
Hetuesit policorë kanë ndaluar të dyshuarin B.M.,(mashkull kosovar, viti i lindjes 1996), dhe gjatë kontrollit në trup fillimisht i janë gjetur tri qese të vogla të dyshuar si substancë narkotike të llojit kokainë me peshë 1.5 gramë.
Njësia e Forenzikës Regjionale në Prishtinë, pas disa kontrolleve në banesën e tij, si prova materiale kanë gjetur dhe konfiskuar: 27 qese të vogla të dyshuar si substancë narkotike e llojit kokainë me peshë 13 gramë, 3 qese të dyshuar si substancë narkotike e llojit kokainë me peshë 62.9 gramë, një peshore digjitale e cila ka shërbyer për matjen e narkotikeve në sasi të vogla, një qese e dyshuar si substancë narkotike e llojit kokainë me peshë 0.2 gramë, e gjetur në veturën e të dyshuarit, dy telefona celularë, para të gatshme me vlerë prej 1545 eurosh.
Sasia e substancave narkotike e konfiskuar është 77.6 gramë e që në vlerë parash konsiderohet të jetë 7760 (shtatë mijë e shtatëqind e gjashtëdhjetë euro).
I dyshuari pas intervistimit me urdhër të prokurorit kujdestar është dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë.