Arrestohet një person i dyshuar për ‘fajde’
Policia e Kosovës, konkretisht Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike (DHKEK), i mbështetur nga Njësia Mbështetëse e DHKO-së si dhe Stacioni Policor Veriu në Prishtinë, me qëllim të zbatimit të urdhëresës së Gjykatës Themelore – Departamenti për Krimet e Rënda në Prishtinë, me datën 28.05.2019 ka realizuar operacionin policor të koduar ‘Era’.
“Gjatë zhvillimit të këtij operacioni një person i dyshuar është kapur në flagrancë duke pranuar para (këstin e fajdesë) në shumë prej 1,200.00 euro, me ç’rast i njëjti është arrestuar nga Policia e Kosovës, nën dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale ‘fajde’ nga neni 331, i KPRK-së. Personi i lartcekur, me qëllim të përfitimit të parave në mënyrë të kundërligjshme me kamatë (fajde), ka kontraktuar shuma të ndryshme të parave, duke përfituar kështu shumën prej 70,000.00 euro”, është thënë në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Policia ka njoftuar se në bazë të urdhëresës verbale nga gjyqtari i procedurës paraprake nga Gjykata Themelore në Prishtinë, është kontrolluar lokacioni i shtëpisë së të dyshuarit.
“Gjatë kontrollimit është gjetur një pushkë gjuetie me leje me afat të skaduar, të cilën e ka sekuestruar Njësia e Hetimeve nga Stacioni Policor Veriu në Prishtinë. Gjithashtu gjatë këtij operacioni policor janë sekuestruar edhe para në vlerë prej 1,500,00 euro, një telefon Iphone si dhe një shufër metalike”, është thënë në njoftimin e policisë.
Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Prishtinë nga Departamenti i Krimeve të Rënda dhe me aktvendim personi i dyshuar dërgohet në mbajtje për 48 orë.
/Epoka e re/