Arrestohet një person në Gjakovë, iu gjetën armë dhe mjete luftarake
Policia e Kosovës ka bërë me dije se është arrestuar një person në Gjakovë për armëmbajtje pa leje.
Sipas policisë, të mërkurën stacioni policor në Gjakovë ka pranuar informatë se personi V.Sh., i lindur në vitin 1991, nga fshati Rogovë i Gjakovës, ka në posedim armë zjarri dhe mjete tjera luftarake.
Policia ka njoftuar se pas identifikimit të personit në konsultim me prokurorin kujdestar, dhe po ashtu vepruar sipas urdhëresës të gjykatësit paraprak, është realizuar kontrolli – bastisja e shtëpisë dhe lokaleve tjera përcjellëse të të dyshuarit, dhe janë gjetur dhe sekuestruar armët: një zol e zbrazët, një gulinov – cal. 12,7 mm dhe një revole – cal. 7.65 mm
“I njëjti është shoqëruar dhe intervistuar në praninë e avokatit mbrojtës dhe pas deklarimit, me urdhër të prokurorit kujdestar i dyshuari lirohet, dhe rasti vazhdon në procedura të rregullt. Drejtoria rajonale e policisë – Gjakovë, po ndërmerr të gjitha masat e nevojshme policore për kapjen e personave që mbajnë dhe qarkullojnë me armë pa autorizim dhe krejt kjo në funksion të parandalimit të akteve kriminale dhe sigurinë sa ma të qëndrueshme të qytetarëve dhe pasurisë së tyre”, ka njoftuar policia.