Arrestohet një person për vrasje të pasluftës
Prokuroria Themelore e Pejës dhe Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë kanë njoftuar se më datën 28 janar, rreth orës 10:00, në Komunën e Klinës, me autorizim të prokurorit të shtetit, është arrestuar nga hetuesit rajonalë në mbështetje të Njësitit për Reagim të Shpejtë një person i dyshuar për një rast të vrasjes në vitin 1999 (pas luftës), nga Neni 30, al.1, të ish-Ligjit Penal të Kosovës.
“I dyshuari pas arrestimit është intervistuar nga hetuesit rajonalë dhe ai me aktvendim të prokurorit të shtetit është ndaluar për 48 orë. Sektori Rajonal i Hetimeve i Policisë së Kosovës në Pejë për të dyshuarin ka parashtruar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Pejë, kurse prokurori i shtetit për të dyshuarin ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore të Pejës, Departamenti për Krime të Rënda. Ky rast në Prokurorinë Themelore të Pejës ka qenë në rastet e shenjëstruara të vrasjeve të pasluftës të ndodhura në kompetencën territoriale të këtij institucioni”, është bërë me dije në komunikatën e Prokuroria Themelore e Pejës.
/Epoka e re/