Arrestohet një polic, dyshohet për rrahjen e një qytetari
04 qershor 2020
| 16:31
Inspektorati Policor i Kosovës (IKP) ka bërë me dije se ka arrestuar një zyrtar të Policisë së Kosovës, pas marrjes së informatave se i njëjti mbrëmë pas mesnatës kishte rrahur një qytetar në Prishtinë.
Polici i arrestuar është punonjës në stacionin policor Qendra në Prishtinë. Arrestimi i tij është bërë me dyshimin se ka kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”.
Me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë si dhe është suspenduar nga puna.
Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës.