Arrestohet një polic në Graçanicë
04 prill 2019
| 18:01
Hetuesit e Departamentit të hetimeve kanë arrestuar të enjten një zyrtar policor nga stacioni policor Graçanicë në Prishtinë, pasi i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale përvetësimi i kundërligjshëm i pasurisë me rastin e bastisjes apo ekzekutimit të vendimit gjyqësor sipas Kodit Penal të Kosovës.
Lidhur me këtë rast, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka kryer bastisjen e shtëpisë dhe zyrës së të dyshuarit, ku janë konfiskuar disa sende në cilësinë e provave materiale.
Me vendim të prokurorit, ndaj zyrtarit të arrestuar policor është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Ndaj këtij polici, IPK-ja ka rekomanduar masën e suspendimit nga puna.