Arrestohet një polic për shitje të drogës
Inspektorati Policor i Kosovës ka arrestuar një zyrtar policor si të dyshuar për veprën “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Përmes një njoftimi për medie, Inspektorati Policor ka bërë me dije se përmes rrugëve operative kishte pranuar disa informacione lidhur me dyshimet e kryerjes së kësaj vepre penale nga një zyrtar policor.
“Pas verifikimit të këtyre informacioneve nga hetuesit e IPK-së të njëjtit kanë ndërmarrë disa veprime hetimore në bashkëpunim me Policinë e Kosovës. Pas një hetimi disa mujor dhe aplikimit të masave të fshehta me autorizim të Prokurorisë Themelore të Ferizajt, më 07.10.2018, hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës së kanë arrestuar një zyrtar policor. Arrestimi i zyrtarit policor B.J (punonjës i stacionit policor në Ferizaj)është bërë në pikë kalimin kufitar në Vërmicë me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’ e paraparë me nenin 273 të Kodit Penal të Kosovës”, është thënë në njoftimin e Inspektoratit Policor të Kosovës
Sipas këtij njoftimi, gjatë kontrollit të detajuar, tek i dyshuari janë gjetur një sasi prej mbi 500 gramë e substancës që dyshohet të jetë substancë narkotike e llojit kokainë.
Më pas, zyrtari policor është arrestuar me vendim të Prokurorit kompetent dhe i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
“Po ashtu me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës është suspenduar edhe një zyrtar policor- punonjës në Stacionin Policor Kufitar Vërmicë lidhur me dyshimin e kryerjes së veprës penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, sepse i njëjti nuk e kishte regjistruar në bazën e të dhënave të Policisë së Kosovës tani të arrestuarin gjatë hyrjes së tij në Republikën e Kosovës”, është thënë në njoftimin e Inspektoratit Policor të Kosovës.
/Epoka e re/