Arrestohet për kontrabandë dhe mosdeklarim të hollash shtetasi kinez
Një shtetas kinez është arrestuar në flagrancë nga Policia Kufitare e Rinasit, i dyshuar për veprat penale të kontrabandës së mallrave për të cilat paguhet akcizë dhe mosdeklarim të të hollave apo sendeve me vlerë në kufi.
Në vazhdën e kontrolleve ndaj pasagjerëve të linjave ajrore, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, 43-vjeçari nga Kina, i identifikuar vetëm si J.L., por që zotëronte leje qëndrimi dhe banonte përkohësisht në Tiranë, është përzgjedhur për kontroll në vijën e dytë.
Në bagazhin e dorës dhe në trup atij iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale plot 80 mijë euro, 76 mijë lekë dhe 2.900 jen; si dhe 9 steka paketash duhani pa pullë fiskale.
Ky është rasti i 14 në total gjatë vitit 2018, që policia kufitare e Rinasit ka kapur për mosdeklarim të vlerave monetare në kufi./TCh