Arrestohet për terrorizëm në Milano 19-vjeçarja nga Kosova
Një shtetase italo-kosovare është arrestuar nga një aksion blic i policisë italiane në Milano nën akuzën e terrorizmit.
Sipas Corriere della Sera, 19-vjeçarja ishte radikalizuar që në moshën 16-vjeçare dhe ishte një mbështetëse e zjarrtë e Shtetit Islamik.
Në muajin janar, ajo ishte martuar në Gjermani sipas një riti islamik me një 21-vjeçar me origjinë kosovare, i afërm i sulmuesit nga Vjena, Kujtim Fejzulai.
Policia arrestoi Bleona Tafallari, 19 vjeçe, e cila ishte zhvendosur së fundi nga Kosova në Milano, në shtëpinë e vëllait të saj në via Padova, “ndërsa qëndronte në kontakt të vazhdueshëm me bashkëshortin e saj dhe me diasporën kosovare të frymëzuar nga xhihadistët”.
E reja akuzohet për terrorizëm ndërkombëtar: ajo është pjesë e organizatës së quajtur “Luanët e Ballkanit”, të lidhur me Shtetin Islamik.
Në urdhrin e paraburgimit të nënshkruar nga magjistrati hetues Carlo Ottone De Marchi thuhet se në aparatin celular të së resë rezulton se mbante “mijëra” imazhe dhe video, “disa prej të cilave ishin krijuar nga agjencia e komunikimit të Shtetit Islamik Al Hayat Medica Center.
Fotografitë dhe videot paraqesin “objekte simbolike” të organizatës terroriste si “flamuri i zi me mbishkrimin e dëshmisë së besimit, skena luftimesh, prerje koke dhe zjarre, skena terroriste të sulmeve të sulmet “muxhahedinëve” në qytetet evropiane, veprat e të cilëve lartësohen”.
“Alarmante”, shkruan gjyqtari, duket zbulimi në dosjet e ruajtura të disa PDF-ve që përmbajnë tekste në gjuhën angleze të njohura jo vetëm si mjet propagandistik i Shtetit Islamik, por që kanë për qëllim kryerjen e veprimeve të dhunshme në vendet perëndimorë edhe nëpërmjet krijimit të bombave artizanale.