Arrestohet personi i cili goditi me veturë një këmbësore në Fushë-Kosovë
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arritur të identifikojë personin i cili dje me veturën e tij goditi një këmbësore në Fushë-Kosovë, e më pas iku nga vendi i ngjarjes.
“Sot rreth orës 09:40, nga Njësiti i hetimeve të Trafikut Rajonal të Prishtinës, është identifikuar personi dhe automjeti që ka qenë i përfshirë në aksidentin e ndodhur dje në rrugën Prishtinë-Fushë Kosovë, ku është lënduar rëndë një këmbësore. Fillimisht nga hetuesit është përcjellje automjeti i dyshuar, derisa ka arrite në një autoservis në Çagllavicë”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Në njoftim theksohet se ka qenë reagimi i shpejtë i hetuesve ai që ka mundësuar arrestimin e personit të dyshuar si dhe konfiskimin e automjetit të tipit Opel Corsa i cili ishte i dëmtuar.
“Pas përfundimit të procedurave të nevojshme policore, rasti do të përcillet në koordinim me prokurorin e shtetit”, ka njoftuar Policia e Kosovës.