Arrestohet personi që mashtroi punonjësit e dy auto-salloneve duke përfituar 97 mijë euro
Hetuesit Rajonal të Prishtinës kanë arrestuar një person të dyshuar për dy raste të mashtrimit të dy punonjësve të auto-salloneve, për shitblerjen e pesë automjeteve, duke përfituar 97 mijë euro.
Menjëherë pas raportimit të rastit hetuesit policor kanë bërë identifikimin dhe kanë arritur të sigurojnë prezencën e personit të dyshuar E.T. (26 vjeç) shtetas i Kosovës, i cili me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtjes për 48 orë.
“Mbështetur në rezultatet e hetimit, policia ka ngritur dyshimin e bazuar se i dyshuari me qëllim të përfitimit pasuror në mënyrë të kundërligjshme, ka mashtruar dy punonjës të dy auto-salloneve, me të cilët kishte marrëveshje për shit-blerjen e 5 automjeteve (vlera e përgjithshme 97.000 euro) , të cilat i dyshuari i kishte tjetërsuar/shitur dhe nuk i kishte paguar”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Lidhur me zbardhjen e rastit si dhe identifikimin e personave të tjerë të dyshuar të mundshëm, policia ka nisur një hetim.
Policia kërkon nga qytetarët që mund të kenë qenë viktimë e rasteve të tilla të lajmërohen në stacionin më të afërt policor, që me informacionet e tyre të kontribuojnë në hetimin që po kryen policia.