Arrestohet spiuni i rrejshëm i AKI-së
Policia e Kosovës, Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë (NHKEK), pas një pune hetimore në teren, duke realizuar dhe aplikuar masat e fshehta të përgjimit të telekomunikimeve, më 11.12.2018, bazuar në urdhëresën e Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka arritur të ndalojë të dyshuarin E.J., viti i lindjes 1992.
I njëjti dyshohet se ka kryer veprat penale: “Prezantim i rremë si person zyrtar”, “Spiunazh” dhe “Falsifikim i dokumenteve”, andaj i njëjti është shoqëruar në njësinë kompetente për procedura të mëtejme.
E.J dyshohet se ka përpiluar një dokument të rremë gjoja se është zyrtar në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe atë dokument e ka përdorur në kohën kur është ndalur nga Policia e Kosovës gjatë kontrollit rutinë, duke i venë në lajthim nën arsyetimin se është me detyra apo punë konkrete nga AKI-ja.
Policia ka sekuestruar dokumentin e falsifikuar me të cilin ka vepruar dhe prezantuar në mënyrë të kundërligjshme apo të rreme.
Pas përfundimit të gjitha veprimeve paraprake hetimore sipas Policisë së Kosovës i dyshuari është intervistuar në cilësi të dyshuarit në prezencën e avokatit mbrojtës dhe me aktvendim mbi ndalimin nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, ai është dërguar në mbajtje prej 48 orëve.