Arrestohet themeluesi i Wikileaks-it, Julian Assange
Policia angleze ka njoftuar se në ambasadën e Ekuadorit ka arrestuar themeluesin e Wikileaks-it, Julian Assange.
Policia ka theksuar se janë ftuar në ambasadë nga ana e ambasadorit të Ekuadorit pasi paraprakisht Qeveria e këtij vendi ka tërhequr statusin e azilit për Julian Assange.
Ai do të paraqitet pranë një Gjykate në Westmister “sa më shpejt të jetë e mundur”, është thënë në njoftimin e policisë.
Assange është fshehur në Ambasadën e Ekuadorit në Londër që nga viti 2012, për të iu shmangur ekstradimin në Suedi ku akuzohej për sulme seksuale dhe pretendimet për përdhunimet e dy grave në vitin 2010.
Prokurorët suedezë e kanë liruar nga akuzat gjatë vitit të kaluar, por Assange ishte ende subjekt i një urdhërarresti britanik për shkelje të rregullave të lirimit me kusht në vitin 2012.
Ai fillimisht është mirëpritur në ambasadë, por pasi në Ekuador pati ndryshime në përbërjen e Qeverisë, autoritetet filluan të reduktonin kontaktet e tij me të huajt dhe të zvogëlonin qasjen e tij në internet.
Presidenti i Ekuadorit, Lenin Moreno, ka thënë se e tërhoqën azilin diplomatik për shkak të shkeljeve të përsëritura të konventave ndërkombëtare.
Britania i ka dhënë Ekuadorit një garanci se themeluesi i Wikileaks nuk do të ekstradohet në ndonjë vend, ku mund të dënohet me vdekje, ka thënë presidenti Moreno.
“Në përputhje me angazhimin tonë të fuqishëm për të drejtat e njeriut dhe të drejtën ndërkombëtare, kam kërkuar nga Mbretëria e Bashkuar që të garantojë që Assange nuk do të ekstradohet në ndonjë vend ku mund të përballet me tortura ose me një dënim me vdekje”, ka thënë Moreno në një video të postuar në “Twitter”.
Ai ka thënë se në përputhje me rregullat, qeveria britanike ka dhënë një garanci me shkrim, raporton “Reuters”.
Sekretari i Jashtëm britanik, Jeremy Hunt, ka thënë se Assange nuk është hero dhe se arrestimi i tij është rezultat i përpjekjeve shumëvjeçare të diplomacisë. Hunt, sipas “Reuters”, ka thënë se për rastin e Assange do të vendosë sistemi ligjor britanik që është i pavarur.
Australiani 47-vjeçar, Jualian Assange mund të përballet me proces gjyqësor për rrjedhjen e 500 000 dokumenteve të fshehta ushtarake të ShBA-së për luftërat në Afganistan dhe Irak.