Arrestohet zyrtari pyjor në Komunën e Prizrenit

27 janar 2022 | 21:14

Policia e Kosovës ka arrestuar zyrtarin e Autoritetin Pyjor në Komunën e Prizrenit për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas PK-së ai nuk ka respektuar vendimin e Drejtorisë së Shërbimeve Publike se drunjtë nga prerja dhe krasitja në parkun e qytetit duhet të dërgoheshin në hapësirat e Shërbimit të Pylltarisë.

Ai sasinë e drunjëve prej 60 metër kub ia kishte dhënë një kompanie private.

Komunikata e plotë:

Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, konkretisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prizren, sot më datë 27.01.2022, ka siguruar informata se në parkun e qytetit në Prizren, dyshohej se bëhej prerja, krasitja dhe largimi i drunjëve në mënyrë të kundërligjshme.

Pas pranimit të këtyre informatave autoritete policore kanë filluar menjëherë me veprime hetimore në koordinim me Prokurorin e Shtetit, ashtu që në proces janë hasur persona duke prerë dru, ku në vendngjarje është gjetur një kamion i ngarkuar me rreth pesëmbëdhjetë (15) metër kub dru, si dhe shumë dru tjera të prera.

Pas verifikimit të dokumentacionit dhe dëshmive të siguruara, janë intervistuar në cilësinë e dëshmitarëve tre (3) persona, dhe janë siguruar dëshmi që mbështesin dyshimin e arsyeshëm se personi i dyshuar në pozitën Përgjegjës në Autoritetin Pyjor në Komunën e Prizrenit, ka vepruar në kundërshtim me vendimin e Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Prizren dhe kërkesën e kësaj drejtorie, se drutë duhet të dërgoheshin në hapësirat e Shërbimit të Pylltarisë, e me pas Komuna të vendose tutje, ndërsa i dyshuari i kishte mundësuar që drutë rreth gjashtëdhjetë (60) metër kub i janë dhënë një kompanie private.

Në proces të prerjes dhe bartjes kanë qenë edhe një mase tjetër e konsiderueshme e druve që pritej të dërgoheshin tek kjo kompani private, dhe me këto veprime ekziston dyshimi i arsyeshëm se personi i dyshuar ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoriteti zyrtar” nga Neni 414 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në konsultë me Prokurorin e Shtetit, masa drunore për momentin është në proces të sekuestrimit të përkohshëm, ndërsa i dyshuari pas intervistës në prezencë të mbrojtësit, me aktvendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Për shkak të shtimi të numrit të rasteve me COVID-19…