Arrihet koalicioni LV-PDK në Gjilan
Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan, Ismajl Kurteshi, ka konfirmuar se kanë arritur koalicion me PDK-në në këtë komunë.
Kurteshi ka thënë se PDK-së do t’i takojë nënkryetari i komunës.
“Po mund ta konfirmoj se kemi arritur marrëveshje me PDK-në dhe disa subjekteve të vogla. Lidhur me koalicionin do të dalim me detaje më vonë. Por marrëveshja është arritur dhe do ta votojmë sot. Nënkryetari i Kuvendit Komunal do të jetë nga PDK-ja, por jo kryesuesi i Asamblesë”, ka thënë Kurteshi për “Express”.
Seanca për zgjedhjen e kryesuesit të Kuvendit Komunal në Gjilan do të mbahet nesër.
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Hyseni, ka fituar komunën e Gjilanit në raundin e dytë të zgjedhjeve.
LV-ja s’i ka numrat që ta zgjedhë kryesuesin e vetme pa partitë e tjera. Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Gjilanit duhet të zgjidhet deri para datës 9 janar.