Arrihet marrëveshja, nisin punën ekskavatorët e KEK-ut
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka nisur punën pas arritjes së marrëveshjes me banorët e lagjes “Mirena”, ndërkohë që të gjitha objektet në zonë do të rrëzohen para Vitit të Ri.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arbër Vllahiu, në një konferencë për media në Shipitullë, ka theksuar se nuk do të ketë rritje të çmimit të rrymës dhe as reduktime.
Ai ka thënë se procesi i zhvendosjes së banorëve ka përfunduar dhe në këtë mënyrë Qeveria Haradinaj ka përmbyllur njërën nga çështjet më të mëdha që kanë mbajtur peng energjinë.
“Të gjitha objektet në zonë do të rrënohen para Vitit të Ri. Do të prodhojmë vetë energji dhe nuk do të ketë import. Nuk do të ketë shtrenjtim dhe reduktime të rrymës”, ka thënë ai.
Ndërsa Valdrin Lluka, ministër i Zhvillimit Ekonomik (MZhE), ka thënë se nëse varen nga importi nuk ka asgjë të sigurt nga rritja e energjisë elektrike. Ai ka theksuar se nisja e punës nga ana e KEK-ut do të stabilizojë prodhimin e energjisë elektrike.
Në anën tjetër drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj, ka theksuar se marrëveshja me banorët e lagjes “Mirena” është arritur në mëngjes dhe tash ka nisur puna e ekskavatorëve të KEK-ut për mihjen e thëngjillit.