Arrihet marrëveshja për menaxhimin e stadiumit ‘Fadil Vokrri’
Federata e Futbollit të Komuna e Prishtinës kanë arritur marrëveshje për menaxhimin e stadiumit “Fadil Vokrri”. Kjo marrëveshje është arritur sot pas një takimi në mes kryetarit të Federatës së Futbollit, Agim Ademi dhe kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti. FFK-ja në bashkëpunim më Komunën do të menaxhoj në ciklin kualifikues “Euro 2020”.
“Është arritur marrëveshja për menaxhimin e stadiumit ‘Fadil Vokrri’, veçmas gjatë ciklit kualifikues për ‘Euro 2020’ të menaxhohet nga FFK-ja në bashkëpunim me komunën. Ndërkohë, këtë marrëveshje e ka miratuar edhe ministri i sportit, Kujtim Gashi, i cili është takuar më pas me presidentin Ademi dhe kryetarin Ahmeti”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
Drejtuesit e Federatës së Futbollit dhe ata të Komunës së Prishtinës kanë diskutuar edhe për ndërtimin e dy fushave me bari sintetik në kryeqytet, të cilat do ta ndihmonin shumë zhvillimin e futbollit. Kryetari Ademi ka kërkuar që komuna urgjentisht ta gjejë tokën ku do të ndërtohen këto dy fusha dhe në momentin që ajo i kryen procedurat e dhënies së tokës në shfrytëzim, atëherë FFK-ja menjëherë do të jetë e gatshme ta fillojë punën në realizimin e tyre.
Po ashtu u diskutua edhe dhënia e lejes për realizimin e projektit të ri të selisë së Federatës së Futbollit, ku sipas të gjitha gjasave pas paraqitjes së projektit do të jepet drita e gjelbër dhe do të fillohet puna edhe në jetësimin e këtij projekti, që padyshim është tejet i rëndësishëm për zhvillimin e mëtejmë të FFK-së.
/Epoka e re/