Arrihet marrëveshja pozitë-opozitë për reformën zgjedhore në Shqipëri
Forcat kryesore politike në Shqipëri kanë arritur të martën një marrëveshje për të realizuar me mirëkuptim reformën zgjedhore deri më 15 mars.
Një grup prej katër anëtarësh, përfaqësues të tri partive kryesore, Damian Gjiknuri, Rudina Hajdari, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili kanë rënë dakord për miratimin e reformës zgjedhore në mënyrë transparente, gjithëpërfshirëse dhe konsensuale në mes të partive politike.
Reforma është rënë dakord që të diskutohet dhe hartohet jashtë Parlamentit në tryezën politike të partive, dhe produkti i saj konsensual të miratohet pa ndryshime nga komisioni dhe Parlamenti.
Në Këshillin politik të ngritur në mes të pozitës dhe opozitës do të marrin pjesë përfaqësues të opozitës së bashkuar, drejtuesit e Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore, si dhe përfaqësues të grupeve parlamentare në Kuvend.
Qeveria e Shqipërisë ka rënë dakord të mos ndryshojë produktin e dakortësuar me opozitën, në Komision apo në seancë plenare.
Krahas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, palët kanë rënë dakord të diskutojnë edhe çdo problematikë tjetër zgjedhore, që i shërben arritjes së standardeve zgjedhore ndërkombëtare.
Takimi në mes të përfaqësuesve socialistë dhe demokratë është zhvilluar pak kohë pasi kryetari i opozitës, Lulzim Basha ka deklaruar se “zgjidhja e krizës politike do të vijë përmes zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në një ditë me zgjedhjet lokale, me një kod zgjedhor që adreson problemet e shitblerjes së votës, kërcënimit të votuesve, presionit ndaj administratës zgjedhore, depolitizimit të Policisë së Shtetit, infrastrukturës zgjedhore, kartave të identitetit, regjistrit të gjendjes civile, regjistrit të adresave, lirisë së medies, mosdhunimit të sekretit të votës dhe me një instrument politik që garanton vullnetin politik për të zbatuar çdo ligj ekzistues apo që do të ndryshohet me konsensusin e të gjitha forcave politike, me transparencë dhe gjithëpërfshirje qytetare”.
Nga ana e tij edhe kryeministri Edi Rama, ka përshëndetur marrëveshjen ndërpartiake. “Përtej më shumë se një viti të humbur në rrugën e konfliktit të çuar deri në ekstremin e mosarsyes, duhet përgëzuar ky rikthim i arsyeshëm në tryezën e dialogut për shkallën e parë të reformës zgjedhore, ku të gjitha rekomandimet e OSBE/ODHIR-it do të integrohen në Ligjin zgjedhor”, ka shkruar Rama në rrjetet sociale.
Ndërsa Ambasada e ShBA-së në Shqipëri ka përshëndetur palët që kanë rënë dakord të punojnë së bashku për reformën zgjedhore, një hap i rëndësishëm për të trajtuar plotësisht rekomandimet e ODIHR-it.
Marrëveshja në mes të forcave kryesore politike është përshëndetur edhe nga Bashkimi Evropian dhe OSBE-ja. /VOA/