Arrihet marrëveshje në parim për shmangien e mbylljes së Qeverisë amerikane
Ligjvënësit në Shtetet e Bashkuara kanë thënë se kanë arritur një marrëveshje në parim për buxhetin, në përpjekje për të shmangur një tjetër mbyllje të qeverisë.
Negociatorët e Kongresit kanë theksuar se marrëveshja përfshin financime për disa barriera të reja në kufirin e ShBA-së me Meksikën.
Megjithatë, shuma nuk është as afër 5.7 miliardë dollarëve që presidenti Donald Trump ka kërkuar për ndërtimin e një muri në kufi.
Demokratët e Kongresit kanë refuzuar autorizimin e kësaj shume, duke e cilësuar si humbje të parave, ndërkohë që republikanët kanë synuar të shmangin mbylljen e qeverisë.
Mbyllja 35-ditëshe, që ka përfunduar muajin e kaluar, ka bërë që qindra-mijëra punonjës federalë të mos marrin rroga, raporton “Rel”.
Sondazhet kanë treguar se amerikanët e kanë fajësuar Trumpin për këtë.
Menjëherë pas njoftimit për arritjen e marrëveshjes në parim, Trump e ka mbajtur një tubim në El Paso të Teksasit, ku ka thënë se muri do t’i mbronte amerikanët nga kriminelët e dhunshëm dhe drogat e paligjshme.
Në javët e fundit, Trumpi ka kërcënuar me shpalljen e emergjencës kombëtare nëse Kongresi nuk i autorizon paratë për murin, por ligjshmëria e një mase të tillë është e diskutueshme.
Sipas Kushtetutës amerikane, Kongresi ka fuqinë ligjore t’i miratojë masat buxhetore.