Arrihet marrëveshje për studime të fizibilitetit në Luginën e Preshevës
Unioni i Afaristëve shqiptarë të Luginës së Preshevës “Vizioni” i përfaqësuar nga Xhelal Memeti ka arritur një marrëveshje bashkëpunimi me Institutin për Shkencë dhe Teknologji “INSI”, kompani kjo që përfaqësohet nga Ismail Baftijari.
Qëllimi i marrëveshjes është ofrimi i shërbimeve për studime të fizibilitetit në tri komunat shqiptare në Luginën e Preshevës.
Sipas marrëveshjes, studimet do të kryhen nga ana e Institutit kurse Unioni i afaristëve do të sigurojë informacione dhe dokumentacion që do të jenë të nevojshme për kryerjen e këtyre studimeve dhe që janë edhe objekt kyç i marrëveshjes.
“Ne do të bashkëpunojmë ngushtë me qëllim të realizimit të plotë të këtyre studimeve sepse janë një parakusht i domosdoshëm për hapësira të investimeve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc”, ka thënë Xhelal Memeti, përfaqësues i Unionit të Afaristëve Vizioni – Preshevë Medvegjë dhe Bujanoc.