Arrihet pajtim për hapat e Kosovës rreth projekteve si parakusht për marrjen e fondeve të BE-së
Sot, në Prishtinë, është mbajtur takimi i radhës në mes të Komisionit Evropian (KE), Zyra e BE-së në Kosovë, Ministria e Integrimit Evropian dhe institucionet tjera të lidhura me procesin integrues.
Në takim mori pjesë David Cullen nga KE-ja, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, dhe personalitete tjera me ç’rast shqyrtuan zbatimin e asistencës së BE-së nëpërmjet instrumentit të para anëtarësimit, IPA, çështjet e ndërlidhura me IPA dhe progresin për këtë çështje gjatë vitit 2018.
“Duhet të dëshmojmë se kemi stabilitet makro-ekonomik, emërimin e Komisionarit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, deponia e mbeturinave të rrezikshme, salla e koncerteve dhe transferimi i inspektorëve komunalë në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës, janë disa nga parakushtet për fondet e BE-së. Mospërmbushja e parakushteve për zbatimin e projekteve mund të rezultojë me anulimin e tyre ose me shtyrjen apo zëvendësimin me projekte të tjera. Anulimi i ndihmës nga BE-ja është e papranueshme andaj duhet që sot t’i ofrojmë përgjigjen e duhura dhe të identifikojmë qartë hapat e radhës për të mundësuar zgjidhjen e këtyre problemeve”, ka potencuar ministrja Hoxha.
Ministrja, më pastaj ka ftuar përfaqësuesit e institucioneve të raportojnë shkurt rreth gjendjes në sektorët e tyre dhe njëkohësisht, të ofrojnë zgjidhjen e sfidave në sektorët e tyre.
Pas debatit dhe shqyrtimit të çështjeve një nga një, u arrit pajtim për hapat e radhës ndërmjet Kosovës dhe përfaqësuesve të KE-së.
U ofruan zgjidhjet për të gjitha çështjet e ngritura, ngase, siç potencoi ministrja Hoxha, Qeveria nuk do të lejojë humbjen e fondeve për shkaqe të paarsyeshme.
/Epoka e re/